Secondary Adv

Nga Amfiteatri te Forumi Bizantin, mbi 680 mijë euro për sitet arkiologjike të Durrësit

Durrësi pritet të përfitojë një ndërhyrje të re në zonat më të rëndësishme arkeologjike të qytetit, përmes një projekti me vlerë mbi 680 mijë euro që synon konservimin, dokumentimin dhe studimin e trashëgimisë historike urbane.

Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit ka shpallur një procedurë publike me vlerë rreth 68 milionë lekë, e fokusuar në disa nga sitet më të rëndësishme të qytetit antik të Durrësit, përfshirë Amfiteatrin Romak, Forumin Bizantin dhe Banjat Romake.

 

Ndërhyrja synon të trajtojë të gjithë zonën si një sistem të integruar historik, ku shtresat romake, bizantine dhe ato moderne bashkëjetojnë nën strukturën aktuale urbane të qytetit.

 

Fokus te konservimi dhe dokumentimi digjital

Sipas dokumenteve të tenderit, projekti nuk parashikon thjesht gërmime arkeologjike, por një proces të plotë dokumentimi dhe konservimi sipas standardeve europiane. Çdo fazë e punimeve do të regjistrohet në mënyrë të detajuar përmes fotografive të strukturuara, hartografisë digjitale dhe gjurmimit të të dhënave sipas vendndodhjes dhe kohës.

 

Dokumentacioni teknik kërkon që të gjitha materialet të dorëzohen në formate të standardizuara elektronike, ndërsa kantieri do të monitorohet vazhdimisht në aspektin teknik dhe vizual.

 

Teknologji moderne për zbulimin e shtresave të fshehura

Projekti parashikon përdorimin e teknikave jo-invazive për identifikimin e strukturave të fshehura nën qytetin ekzistues. Në këtë kuadër do të përdoren sondazhe strukturore, hapje të kontrolluara dhe endoskopi strukturore me ndërhyrje minimale, me synim ruajtjen e integritetit të monumenteve dhe të zonës urbane aktive.

 

Amfiteatri Romak mbetet pika qendrore e ndërhyrjes, por qasja e re synon të krijojë një lidhje të integruar midis periudhave historike të qytetit, nga antikiteti romak deri te zhvillimi modern urban.

 

Sfida për menaxhimin e zbulimeve të reja

Dokumentet e projektit theksojnë se një nga sfidat kryesore mbetet menaxhimi operacional i procesit, pasi çdo gërmim mund të nxjerrë në dritë elementë të rinj arkeologjikë që ndryshojnë planin fillestar të ndërhyrjes.

 

Për këtë arsye, projekti kërkon përfshirjen e ekipeve të specializuara me eksperiencë ndërkombëtare në arkeologji urbane dhe konservim, si dhe hartimin e një plani të detajuar për menaxhimin e riskut, sigurinë e kantierit dhe kontrollin e aksesit.

 

Synimi: një sistem i integruar arkeologjik urban

Megjithëse me një buxhet relativisht modest krahasuar me standardet europiane, projekti synon të krijojë bazat për një plan afatgjatë konservimi dhe menaxhimi të trashëgimisë kulturore të Durrësit.

 

Objektivi final është transformimi i qytetit nga një hapësirë me monumente të shpërndara në një sistem të integruar arkeologjik urban, ku trashëgimia historike të lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin turistik dhe urban të qytetit.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat